Langenthal, 10. Mars 2019

 

 

 

STATUTI

 

SHOQATA HUMANITARE “TEARCA” NË ZVICËR

Langenthal, 2019

 

 

I. DEFINIMI DHE QËLLIMET

 

Neni 1

Definimi

1. Shoqata Humanitare Tearca (SHHT)

2. Shoqata ka karakter humanitar dhe bamirës

3. Shoqata nuk ka karakter politik dhe fetar

4. Selia e shoqatës ndodhet ne Zvicër

5. Shoqata ka vulën dhe simbolin e vet

 

Neni 2

Qëllimet e shoqatës janë

1. Njohja, bashkëpunimi dhe ndihma e ndërsjellë mes anëtarëve të saj përmes takimeve dhe aktiviteteve të ndryshme humanitare, kulturore, sportive etj.

2. Kontributi në zvogëlimin e pasojave të shkaktuara nga kriza ekonomike dhe shoqërore në Tearcë, përmes aktiviteteve humanitare dhe bamirëse.

3. Afirmimi i kulturës, sportit dhe arsimit shqip në Zvicër.

4. Kontributi në integrimin e komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane përmes kontakteve dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta humanitare me shoqata dhe institucione tjera me të njëjtin karakter.

 

 

II. ANËTARËSIA

 

Neni 3

Anëtar i shoqatës mund të bëhet

1. Çdo qytetar i moshës madhore i cili pranon parimet themelore dhe detyrat programore të shoqatës.

2. Çdo qytetar pa dallim të përkatësisë kombëtare dhe fetare.

3. Shoqata mund të pranoj si anëtarë nderi ndonjë personalitet të shquar nga sfera kulturore, shkencore ose ndonjë personalitet i cili ka dhënë kontribut të veçantë në funksion të qëllimeve të shoqatës.

 

Neni 4

Të drejtat e anëtarit

1. Çdo anëtar i shoqatës ka të drejtën e fjalës dhe shprehjes së lirë të mendimit.

2. Çdo anëtar ka të drejtën e votës.

3. Çdo anëtar ka të drejtë të propozoj dhe të marr pjesë në sjelljen e vendimeve.

4. Çdo anëtar i shoqatës ka të drejtë të zgjedh ose të zgjidhet në organet e saj drejtuese.

5. Çdo anëtar ka të drejtë të jetë bartës i aktiviteteve të ndryshme të shoqatës.

6. Çdo anëtar ka të drejtë qasjeje në arkivin e shoqatës.

 

Neni 5

Obligimet e anëtarit

1. Çdo anëtarë i shoqatës është i obliguar të mos e keqpërdor emrin e saj dhe cilësinë e anëtarit për bindjet dhe aktivitetet e tij që nuk kanë të bëjnë me qëllimet e shoqatës.

2. Çdo anëtar është i obliguar të paguaj kontributin e anëtarësisë 120 franga në vit.

3. Çdo anëtar duhet të respektoj programin e shoqatës dhe të kontribuojë në realizimin e tij në rast të marrjes së ndonjë përgjegjësie.

4. Çdo anëtar i kryesisë, i këshillit mbikëqyrës, i këshillit të pleqërisë, apo të grupeve punuese i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë vullnetare.

 

Neni 6

Humbja e cilësisë së anëtarit

1. Në rast të largimit vullnetar nga shoqata, anëtari duhet të kërkoj dorëheqjen e tij me shkrim te kryesia e shoqatës.

2. Çdo person e humb cilësinë e anëtarit nëse ai shkel obligimet që rrjedhin nga neni 5.

3. Ai i cili humb cilësinë e anëtarit të shoqatës nuk gëzon të drejtën e ndonjë kompensimi material.  

 

 

III. ORGANIZIMI

 

Neni 7

Organet e shoqatës janë:

1. Kuvendi i përgjithshëm

2. Kryesia

3. Këshilli mbikëqyrës

4. Këshilli i pleqërisë

5. Grupet punuese

 

Neni 8

Kuvendi i përgjithshëm

1. Kuvendi është organi më i lartë i shoqatës.

2. Anëtarë i kuvendit të përgjithshëm është çdo anëtar i shoqatës.

 

Neni 9

Mbledhja e kuvendit të përgjithshëm

1. Kuvendi i përgjithshëm mblidhet në mbledhje të rregullt të organizuar nga kryesia.

2. Kuvendi i përgjithshëm mund të mbaj takimin e tij të jashtëzakonshëm nëse së paku 1/5 e anëtarëve kërkojnë me shkrim mbledhjen e tij.

 

Neni 10

Kompetencat e kuvendit të përgjithshëm

1. Vendimet në kuvend merren me votim të hapur të anëtarëve të pranishëm.

2. Kuvendi i përgjithshëm merr vendime lidhur me

   a. Pranimin dhe miratimin e ndonjë anëtari që nuk parashihet në nenin

   b. Zgjedhjen e Kryesisë.

   c. Zgjedhjen e këshillit mbikëqyrës.

   d. Përcakton shumën e kontributit të anëtarëve.

   e. Ndryshimin dhe plotësimin e statutit.

   f. Jep pëlqimin për destinimin e mjeteve të grumbulluara për aktivitete që kalojnë shumën mbi 5’000 franga zvicerane.

   g. Aprovon raportet për punën e organeve të shoqatës.

   h. Shkarkimin eventual të kryesisë.

    i. Shpërbërjen e shoqatës.

3. Vendimet lidhur me pikën h dhe i merren vetëm në rast se për të deklarohen me shkrim më shumë se 2/3 e anëtarësisë së gjerë.

 

Neni 11

Përbërja e kryesisë

1. Organet e kryesisë janë:

   a. Kryetari

   b. Nënkryetari

   c. Sekretari

   d. Arkëtari

   e. Zv. Sekretari

   f.  Zv. Arkëtari

   g. Anëtarë i lirë

 

Neni 12

Funksionet e kryesisë

1. Kryesia zgjidhet për një periudhë prej katër vitesh me mundësi të rizgjedhjes.

2. Kryesia mund të ndryshohet edhe pas një viti nëse atë kërkojnë një grup i anëtarëve.

3. Në çdo mbledhje të rregullt të kuvendit mund pjesërisht të ndryshohet kryesia nëse ka propozime të reja nga anëtarët.

4. Kryesia mund të kërkoj zëvendësimin e ndonjë anëtari, nëse ndonjë anëtar mungon pa arsye tre herë me radhë në mbledhjet e kryesisë ose i njëjti pengon kryesinë në punën e saj.

5. Kryesia merr vendime me konsensus në funksion të qëllimeve të shoqatës.

6. Vendimet me karakter shumë serioz i përcillet çdo anëtari me shkrim për aprovim.

7. Aktivitetet humanitare që kalojnë shumën mbi 5’000 franga zvicerane duhet ti përcillet çdo anëtari me shkrim për aprovim.

8. Kryesia përpilon në fillim të çdo viti programin vjetor të shoqatës dhe ua përcjell atë anëtarëve të saj.

9. Kryesia formon nga anëtarësia e gjerë grupe pune për organizimin e aktiviteteve të caktuara.

10. Në fund të çdo viti kryesia i raporton me shkrim anëtarësisë për aktivitetet e bëra.

11. Në qoftë se anëtarët nuk i përgjigjen thirrjes me shkrim të kryesisë, atëherë kryesia merr vendime me konsensus të plotë nga gjithë anëtarët e kryesisë dhe gjithë anëtarët e këshillit mbikëqyrës dhe të pleqërisë.

 

Neni 13

Funksionet e secilit anëtar të kryesisë

1. Kryetari i shoqatës drejton mbledhjet e kryesisë dhe ato të kuvendit të përgjithshëm.

2. Kryetari përfaqëson shoqatën në takime dhe aktivitete të ndryshme.

3. Nënkryetari i ushtron të gjitha funksionet e kryetarit me pëlqimin e tij dhe në mungesë të tij.

4. Sekretari është përgjegjës për mbajtjen e gjithë dokumentacionit të shoqatës.

5. Arkëtari është përgjegjës për arkën e shoqatës. Në fund të çdo viti e bën bilancin dhe raporton para kuvendit ose ia dërgon secilit anëtarë me shkrim.

6. Arkëtari duhet të marr paraprakisht pëlqimin e kryesisë për transaksionet bankare online. Arkëtari nuk mund të tërheq më shumë se 10'000 franga në mënyrë online, pasi kjo shumë paraprakisht kufizohet nga kryesia në bankë.

7. Për çdo aktivitet arkëtari bën një propozim buxhetor dhe e paraqet para kryesisë për miratim.

8. Sekretari është përgjegjës për komunikim me shkrim me anëtarët.

9. Anëtari i lirë i kryesisë merr detyra të veçanta në rast të nevojës që ka kryesia.

 

Neni 14

Këshilli mbikëqyrës, këshilli i pleqërisë dhe grupet punuese

1. Këshilli mbikëqyrës këshillon dhe mbikëqyr punën e kryesisë.

2. Këshilli i pleqërisë ka karakter këshillues dhe përbëhet nga ish anëtarët e kryesisë.

3. Këshilli mbikëqyrës dhe këshilli i pleqërisë kanë të drejtën e votës vetëm nëse vjen në shprehje neni 12 pika 7 respektivisht pika 11, përndryshe nuk e kanë të drejtën e votës.

4. Grupet punuese zgjidhen nga kryesia dhe ndihmojnë kryesinë në punën e saj.

 

Neni 15

Financimi

1. Shoqata financohet nga kontributet vjetore të anëtarëve

2. Nga fondi për reklamat në webfaqen e shoqatës

3. Nga aktivitetet kulturore dhe sportive

4. Nga donacionet e ndryshme

 

Neni 16

Destinimi i mjeteve të grumbulluara

1. Asnjë aktivitet i shoqatës nuk duhet ti kaloj mundësitë financiare të arkës së shoqatës.

2. Financimi i aktiviteteve humanitare dhe bamirëse janë prioritet i shoqatës dhe financohen kryesisht nga fondi i anëtarësisë.

3. Çdo aktivitet financiar i cili e kalon shumën prej 5’000 franga duhet të merr pëlqimin e shumicës së anëtarëve ose me konsensus në mes kryesisë dhe të dy këshillave.

4. Fondi i anëtarësisë nuk guxon të bie nën 50% brenda një viti.

5. Kryesia merr vendim vetë për destinimin e të ardhurave nga aktivitetet e veta.

 

 

IV. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

 

Neni 17

Shpërbërja e shoqatës bëhet nëse

1. Numri anëtarëve zvogëlohet nën 10 anëtarë.

2. Nëse këtë e kërkojnë 2/3 e anëtarëve

3. Në rast të shpërbërjes së shoqatë çdo pasuri materiale e saj dhurohet për qëllime humanitare.

 

Neni 18

1. Ky statut hyn në fuqi në ditën e aprovimit të tij nga ana e kuvendit.

 

Langenthal, 10. Mars 2019