,

21. Shtator 2013 në Fahrweid (ZH)

 

 

Mbrëmje festive në Fahrweid të Cyrihut nga një shoqatë me prejardhje nga Tetova

“Tearca” e Zvicrës në funksion bamirësie, kulture dhe shkencës kulmore

 

Me nismat e kardiologut të famshëm shqiptar Doc. Dr. Omer Xhemailit dhe mbështetjen e bashkëvendëseve në Zvicër, kjo shoqatë ka tubuar mbi 2 mijë franga për t’ia kthyer sytë një fëmije 4 vjeçar.- Kësaj veprimtarie dhe aktiviteteve të tjera humanitare e arsimore me një program iu bashkua edhe tenori i shquar Kastriot Tusha dhe disa grupe artistike.

 

Rexhep Rifati, Cyrih

 

Mbrëmje kulturore- humanitare në Fahrweid të Cyrihut, e organizuar nga Shoqata Humanitare “Tearca” nga fshati me të njëjtin emër të Tetovës, mbajtur para sa kohësh, para së gjithash, nxori në pah dashurinë dhe kujdesin që tregojnë mërgimtarët tanë për arritjet e bijve të tyre në kushtet e mërgatës. Fakti se vetëm në Zvicër nga 150 familje nga po ky fshat (që tash është edhe qendër komunale), kanë dalë emra eminentë në fusha të ndryshme, ndër të cilët edhe dy mjek me reputacion ndërkombëtarë si dhe dy imam të respektuar, por edhe grupe artistike, flet vetvetiu për arritjet e mëdha të mërgimtarëve të asaj ane në Zvicër.

Ajo që e shquan shoqatën Tearca të themeluar në vitin 2001, e bën shpirti i madh sa humanitar aq edhe atdhetar. Sepse mërgimtarët e Tearcës në Zvicër krahas mirëqenies familjare nuk i harruan edhe skamnorët në vendlindje e para së gjithash ata që patën nevojë për shërim brenda dhe jashtë vendit. Edhe rasti i grumbullimit të ndihmave në shumë prej 2 e sa mijë frangash për t’ia kthyer shikimin përmes shërimit një katërvjeçari flet shumë.

Në kuadër të këtij misioni humanitar por edhe arsimor e kulturor u mbajt edhe mbrëmja e kësaj shoqate më 21 shtator në Fahrweid, që pos mërgimtarëve të Tearcës kishte tubuar edhe tre ambasadorët shqiptarë në Zvicër, Mehmet Elezin (Shqipëri), Naim Malajn (Kosovë) dhe Ekrem Ebibin (Maqedoni), nga të cilët të pranishmeve iu drejtua ambasadori i Shqipërisë në Bernë, i cili vlerësoi lartë angazhimin dhe shpirtin human të këtyre mërgimtarëve dhe vet shtetin zviceran që u ka ofruar kushte për prosperitet dhe integrim në shoqërinë e këtij vendi mik demokratik. Në mesin e mysafirëve ishte edhe Remzi Ejupi drejtori i “Euro-kohës”, Vulë të veçantë kësaj mbrëmje i dhanë dy emra eminent të mjekësisë së fushës së kardiokirurgjisë: Prof. Dr. Michele Genonni, shef i klinikës së zemrës në Triemlispital të Cyrihut, dhe Doc. Dr. Omer Xhemailit, kardiokirurgu i parë shqiptar që deri më tash bëri disa transplantime zemre. Në prezantimet e tyre ata folën edhe për metodat më të reja të operacioneve në zemër të hapur që bëhen në spitalin Triemli të Cyrihut. Po ashtu shprehen gatishmërinë që brenda çdo viti tu ofrojnë ndihmë adekuate, rreth 80 klientëve shqiptarë me sëmundje kardiake.

Më pastaj përshëndeti kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Mr. Rejhan Neziri, me prejardhje po nga Tearca, i cili apeloi që të vazhdohet puna me ndihma humanitare për të sëmurë e skamnorë dhe me shkollimin e mëtejshëm të fëmijëve në mërgatë. Bashkëfshatarët e tij i përshëndeti edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tearcës, Muharrem Osmani, duke i falënderuar ata për kontributet e tyre në ngritjen e infrastrukturës së fshatit.

Krahas pjesës humanitare në këtë tubim nuk mungoi as ana arsimore e kulturore. Përplot simbolik e art e ngrohtësi njerëzore pati në këtë tubim, sidomos në momentin kur dhjetëra vogëlush u pajisën me abetare që iu kishin arrit nga vendlindja e të cilat ua ndau kryetari i shoqatës, Rexhep Laçi. Po këtyre fëmijëve iu bashkua me këngë edhe tenori i shquar Kastriot Tusha, duke krijuar një atmosferë vërtetë ngazëlluese. Pjesës artistike iu bashkua edhe këngëtarja Arjeta Zhuta, Alim Dauti dhe Blerim Gashi, si dhe shoqëritë tejet aktive artistike në mërgatë “Valët e liqenit” nga fshati Ladorishtë i Strugës dhe "Teuta" nga fshati Tearcë. Programi u përshkua edhe me disa poezi të krijuesve të letrave tona, Remzi Murati dhe Musa Osmani.

Ishte kjo një mbrëmje përplot bamirësi, nostalgji e ngrohtësi njerëzore e përshkuar edhe me tinguj muzikor e ngazëllim fëmijëror e rinor. Ishte njëherësh takim inkurajimi edhe për një brez në rritje, që edhe në kushtet e mërgimit, mund të dalë triumfues. Dhe krejt në fund do tu mbetnim borxh edhe shumë biznesmenëve me prejardhje nga Tearca e të viseve të tjera, që me donacionet e tyre ndihmuan organizimin e mirë të kësaj mbrëmje. Me këtë disa nga ta bashkë me drejtuesit e kësaj shoqate shembullore u shpërblyen me mirënjohje e duartrokitje.

 

Pjesë e manifestimit: kardiokirurgët e famshëm:
Prof. Dr. Michele Genonni, dhe Doc. Dr. Omer Xhemailit

 

Tre ambasadorët shqiptarë në Bernë , si edhe disa herë, bashkë

 

Pjesë vërtetë ngazëlluese: Tenori Kastriot Tusha me vogëlushët e mërgatës

 

Dy figura të shquara të Tearcës në Zvicër:
kryeimami Mr. Rejhan Neziri dhe kryekirurgu Dr.Omer Xhemaili

 

Një nga pikat artistike të grupit nga Ladorishta e Strugës në Zvicër

 

Mysafirë fushash të ndryshme në mbrëmjen e mërgimtarëve nga Tearca

 

Mirënjohje për angazhim dhe arritje në fusha të ndryshme

 

Në manifestimin familjar që u mbajt më 21.09.2013 në Cyrih, ndër të tjera u ndanë edhe katër mirënjohje nga ana e kryetarit të SHH "Tearca", z. Rexhep Laçi, për katër personalitete që në forma të ndryshme kanë kontribuar më së shumti për SHH si dhe për bashkëfshatarët tanë në Zvicër...

Sigurisht që mirënjohje meritojnë edhe shumë bashkëfshatarë tanë, por nga pamundësia që t'i përfshijmë të gjithë, ne u përcaktuam vetëm për këto katër personalitete:

1. Shoket Hazari.pdf

2. Efraim Memedi.pdf

3. Rejhan ef. Neziri.pdf

4. Dr. Omer Xhemali.pdf

  

Foto nga mbrëmja familjare

 

 

Video nga mbrëmja familjare

Kjo video është xhiruar dhe përgatitur nga bashkëfshatari ynë Adnan Aliti që jeton në Danimarkë. E falënderojmë për pjesëmarrjen nga Danimarka si dhe për ketë video të mrekullueshme, e cila këtë mbrëmje do ta bëjë të paharrueshme.