Alivebi ef. Medii

"Zërin e Tearcës ta bartim edhe më larg se Xhakarta"

Intervistë me Alivebi ef. Mediun, imam nga Tearca në Rorschach të Zvicrës

Tearca.ch: I nderuari Alivebi ef. Medii, në emër të Shoqatës Humanitare “Tearca” në Zvicër fillimisht Ju falënderojmë për mundësinë që na dhatë ta zhvillojmë këtë intervistë për web faqen e Shoqatës sonë. Sa për fillim do t’Ju kishim lutur për një prezantim të shkurtër personal?

Alivebi ef. Medii: Jam i lindur në fshatin Tearcë në vitin 1958, rrjedh nga një familje me traditë hoxhallarësh. Babai Husein Mediu dhe e ëma Nazlije Mediu. I martuar dhe babë i katër vajzave.

 

Tearca.ch: A mund të na flisni më konkretisht për shkollimin Tuaj?

Alivebi ef. Medii: Shkollën fillore e kreva në vitin 1973 në fshatin Tearcë dhe atë me sukses të shkëlqyeshëm. Pas përfundimit të tetëvjeçares me propozim të axhës tim rahmetli Abdulxhemil efendiut u regjistrova në medresenë Alauddin në Prishtinë, për çka jam shumë mirënjohës dhe e lus Allahun e Madhërishëm që axhën tim ta shpërblejë me Xhennnetin Firdevs.

Në vitin 1978 diplomova në medresenë Alauddin në Prishtinë. Në atë kohë ishte pak sa normale që studimet të vazhdohen në një nga universitetet e shteteve arabe. Dhe mu për atë, përsëri propozuar nga axha im, vendosa të regjistrohem në universitetin e Rijadit në Arabinë Saudite. Pas dorëzimit të dokumentacioneve të duhura për regjistrim, prita një muaj në Damask të Sirisë pranimin në universitet, por fatkeqësisht arriti konfirmimi negativ dhe mu dashtë që të kthehem për në Tearcë, gjë që ishte shumë rëndë të pranoja kthimin dhe për moment vendosa që nga Damasku të udhëtoj për në Bagdad të Irakut .

Në Bagdad u regjistrova në fakultetin filozofik, katedra e gjuhës arabe për të huaj. Pas disa muajsh u ktheva në pushim në Tearcë. Aso kohe në ish Jugosllavi ishte vendosur ligjërisht që pas përfundimit të shkollës së mesme të kryhet shërbimi ushtarak, për çka edhe unë pra u detyrova që ta kryej shërbimin ushtarak.

Gjatë kohës që isha në shërbimin ushtarak, në Irak filloi lufta mes Irakut dhe Iranit, që për mua u pamundësua vazhdimi i studimeve ku isha regjistruar në universitet të Bagdadit.

Por shpresa e ime për të studiuar nuk humbi, u takova me një koleg nga medreseja i cili ishte regjistruar në fakultetin e shkencave Islame në Sarajevë dhe gjatë bisedës me të, më siguroi se ai do të merret me regjistrimin tim në Sarajevë. Edhe pse afati i regjistrimit kishte kaluar, sidoqoftë arrita të regjistrohem në fakultetin e shkencave Islame në Sarajevë në vitin shkollor 1980-81.

Për mua filloi një periudhë krejtësisht e re dhe thënë të vërtetën revolucionare, pasi që ky fakultet në një mënyrë bëri në mua një kthesë të madhe duke falënderuar profesorët e mëdhenj që i kishe asokohe, duke filluar si nga Husein Gjozo, Ahmed Samajloviq dhe shumë të tjerë. Por nuk mund ta harroj as shoqërinë që e kishim në gjeneratën tonë, të cilët ishim shumë ngushtë të lidhur, si Nexhat Ibrahimin nga Prizreni, i cili qysh si student njihej me frymë revolucionare dhe i burgosur nga qarqet komuniste në Sarajevë dhe më vonë i burgosur në Kosovë e Serbi me shtatë vjet e gjysmë burgim, e sot i punësuar si profesor në medresenë e Prizrenit; pastaj Shaqir Fetahun, student i dalluar, një kohë profesor në medresenë Isa beu në Shkup e sot myfti në komunën e Gostivarit; Rexhep Lumën, referent fetarë arsimor në Republikën e Kosovës dhe Ibrahim Selmanin, sot afarist. Ishim të njohur me nofkën “Pesëshi i artë” apo origjinal “Zlatna petorka”.

Merreshim me aktivitete të ndryshme dhe gjatë kohës së studimeve përkthyem librin e Rozhe Garodit “Islami, kultura dhe socializmi”. Kohën e lirë e kalonim me dialogje të problemeve aktuale dhe shumë aktivitete tjera.

 

Tearca.ch: Pas përfundimit të studimeve, cila është përvoja Juaj praktike, angazhimi juaj profesional dhe në cilat vende e keni ushtruar atë?

Alivebi ef. Medii: Në vitin 1984 i kreva studimet në fakultetin e shkencave Islame në Sarajevë me temë “Thirrja (misioni) Islam dhe karakteristikat e thirrësit musliman” që me sukses e mbrojta para mentorit rahmetli Prof. Dr. Ahmed Smajloviqit.

Menjëherë pas diplomimit fillova të kërkoj punë. Edhe pse ishte shumë vështirë që të inkuadrohem diku arrita që të punësohem gjatë muajit të ramazanit në fshatin Gorancë të komunës së Kaçanikut ku mbeta edhe disa muaj si imam në këtë xhami. Këtu fitova një përvojë jashtëzakonisht të madhe profesionale nga vetë fakti se xhemati ishin shumë të përgatitur me njohurit islame dhe lexim të Kur’ani Kerimit. Në këtë fshat gjatë kohë kishte vepruar imami i njohur rahmetli Imer efendiu nga fshati Xhepçisht i Tetovës, i cili kishte kontribuar mjaft për avancimin e diturisë islame dhe para meje disa vite edhe rahmetli axha im Abdulxhemil efendiu.

Më pas kam shërbyer edhe disa muaj në fshatin Leshnicë e Poshtme të Tetovës si imam e hatib, por nga kushtet e vështira materiale e sidomos gjendja e rëndë politike në ish Jugosllavi më shtyn që unë të largohem nga vendlindja e të marr rrugën e gurbetit e të stacionohem këtu në Zvicër. Në mars të vitit 1989 arrita në Zvicër si punëtor krahu.

 

Tearca.ch: Pas ardhjes Suaj në Zvicër, Ju njiheni për kontributin që keni dhënë në hapjen e disa xhamive që sot pothuajse të gjitha janë me imam të rregullt, siç është xhamia në Wil, Romanshorn, St. Gallen, Rebstein dhe së fundi në Rorschach. A keni pasur vështirësi në këtë drejtim dhe të çfarë natyre kane qenë ato?

Alivebi ef. Medii: Vetë tema e diplomës sime në fakultetin e shkencave islame ma kishte bërë obligim misionin tim profesional që të merrem me thirrjen islame kudo që të jem. Kuptohet se me të ardhur në Zvicër unë fillimisht u stacionova në Wil, ku edhe menjëherë filluam organizimin e xhematit shqiptar. Një kohë të gjatë vepruam në xhami të turqve dhe përfundimisht në vitin 1990 e bëmë edhe hapjen e xhamisë shqiptare në Wil.

Në Ramazan të vitit 1992 bëmë hapjen e xhamisë në Romanshorn dhe vazhdova në vitin 1994 në St. Gallen, ndërsa në vitin 1996 në Rebstein e përfundimisht në vitin 2002 e bëmë hapjen e xhamisë në Rorschach, shpresoj se do të vazhdoj edhe më tutje me organizim të xhemateve kudo që të kërkohet nevoja.

Thënë të drejtën vështirësi të mëdha nuk kam pasur për organizim të xhemateve, rregullisht kam pasur mirëkuptim dhe gjithherë për një afat shumë të shkurtër kam arritur të organizoj një xhemat. Ndoshta mua personalisht më ka ndihmuar gjendja ime materiale që nuk kam qenë i varur nga xhematet, sepse kam punuar rregullisht në punë dhe kam gëzuar të drejtën të flasë shumë haptas dhe të kem përkrahje.

 

Tearca.ch: Cila ka qenë xhamia e parë shqiptare këtu në Zvicër dhe si ka rrjedhë më vonë çështja e hapjes së xhamive shqiptare?

Alivebi ef. Medii: Fillimisht në Zvicër ka pasur dy xhemate shqiptare dhe atë në Cyrih, njëra pastër shqiptare në Badenerstrasse e tjetra e përzier me turq në Hardplatz. Pas ardhjes sime në Zvicër pasoi hapja e xhamisë në Wil e cila u bë edhe model i suksesshëm për hapjen e shumë xhamive të tjera që pasuan më pas. Në këtë drejtim kontribut të duhur kanë dhënë edhe imamët e atëhershëm, Taxhudin ef. Misimi, Abdilsami ef. Misimi, Shaban ef. Sulejmani dhe kuptohet xhematet pa të cilët nuk do të mund ta bënim hapjen e xhamive.

 

Tearca.ch: Sot sa xhami shqiptare numërojmë në Zvicër?

Alivebi ef. Medii: Eedhe pse saktësisht nuk kam ndonjë informatë të plotë, sepse kohë pas kohe hapen qendra të reja islame shqiptare, por mendoj se numri i tyre është mbi 60 xhami apo mesxhide.

 

Tearca.ch: A janë të gjitha të pajisura me imam të rregullt, apo si qëndron puna në këtë drejtim?

Alivebi ef. Medii: Jo të gjitha, por pjesa më e madhe kanë zgjedhur problemin e imamëve dhe janë pajisur me to. Është për t’u mburrur ne këtu në Zvicër për kuadrin që aktualisht e kemi. Pra kemi shumë imamë me tituj të lartë profesional, por duhet që ta orientojmë punën tonë drejt një progresi pozitiv për sfidat e kohës që na presin.

 

Tearca.ch: Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për hapjen e një xhamie të re?

Alivebi ef. Medii: Për hapjen e një xhamie të re këtu në Zvicër kuptohet ekzistojnë disa rregulla që duhet përmbushur, si shembull, më parë duhet gjetur lokalin përkatës i cili plotëson kushtet normale për përmbushjen e nevojave të një mesxhidi dhe pastaj parashtrohet kërkesa në komunë dhe natyrisht pritet leja për qëllimin e caktuar. Pastaj kërkohet statusi i xhamisë i cila përpilohet në formë juridike me rregullat e caktuara që i kërkon ligji zviceran.

Por kuptohet karshi të gjitha këtyre punëve që përmendëm duhet të organizohet një grup i xhematit, të cilët në formë vullnetare duhet grumbulluar mjete materiale për fillim të punëve që do të pasojnë, dhe më vonë do të bëhet edhe anëtarësimi i xhematit si anëtarë të rregullt për mirëmbajtjen e xhamisë.

 

Tearca.ch: Cilat janë kushtet që duhet t’i plotësojë një xhami për të angazhuar një imam të rregullt?

Alivebi ef. Medii: Për punësim të një imami të rregullt në ndonjë xhami, natyrisht se si kusht i parë duhet që xhamia të ketë xhemat të mjaftueshëm e pastaj mjete materiale për të siguruar rrogën e imamit dhe pagesën e qirasë dhe mirëmbajtjes së lokalit.

 

Tearca.ch: Kur jemi te kushtet e xhamisë dhe angazhimi apo punësimi i imamëve në to, a ka vështirësi në plotësimin e tyre? Në këtë drejtim, sa janë të kënaqur xhemati me punën që bëjnë këta imamë, dhe nga ana tjetër sa janë të kënaqur imamët me kushtet që ua ofrojnë xhamitë?

Alivebi ef. Medii: Shikoni, nuk mund të themi se nuk ka vështirësi për të angazhuar një imam të rregullt nga ana e xhematit. Pikësëpari xhemati merr një obligim shumë të rëndë për sigurimin e mjeteve materiale, që duhet siguruar nga anëtarësia dhe shpeshherë anëtarët nuk mund ta kuptojnë këtë përgjegjësi dhe lindin konfrontime. Por kuptohet se vështirësitë janë edhe te imamët të cilët fillimisht pranojnë çfarëdo kontrate të bërë mes tij dhe kryesisë së xhamisë, e më vonë lindin probleme të natyrave të ndryshme.

Sa i përket asaj ane, se sa janë të kënaqura kryesitë e xhamive me imamët e tyre, kuptohet se nuk mund të flasim në mënyrë globale për të gjithë imamët, ka vende ku xhemati shprehë kënaqësi të madhe me imamin e tyre, por edhe e kundërta ku do të hasim në ankesë e konfrontim.

Edhe imamët nuk do të jenë gjithkund njëjtë të kënaqur me gjendjen e tyre, diku më shumë e diku më pak, por gjithherë me shpresë se do të vijnë ditë më të mira.

 

Tearca.ch: A ka vështirësi e pengesa nga ana e autoriteteve vendore për hapjen e këtyre faltoreve apo qendrave islame këtu në Zvicër?

Alivebi ef. Medii: Unë nuk mendoj se kemi pasur pengesa të mëdha, përpos nëse vendi nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara, se përndryshe kemi hasur në mirëkuptim dhe shpejt e kemi realizuar dëshirën tonë. Nuk them se diku nuk ka pasur pengesa, por përsëri në fund është gjetur zgjidhja, pra janë tejkaluar pengesat dhe është fituar e drejta për hapjen e xhamisë.

 

Tearca.ch: Siç është tanimë e njohur, në nëntor të vitit të kaluar (2009) me anë të referendumit këtu në Zvicër u ndalua me kushtetutë ndërtimi i minareve të reja. Si e përjetuat Ju si imam bashkë me xhematin Tuaj rezultatin e këtij referendumi?

Alivebi ef. Medii: Natyrisht se unë së bashku me xhematin tim por edhe gjithë komuniteti musliman i cili jeton në Zvicër nuk e kemi pritur referendumin e nëntorit të vitit 2009 me ndalesë të minareve nga vetë fakti se Zvicra si një shtet demokratik dhe me qendrën e saj në Gjenevë për të drejtat e njeriut absolutisht nuk ka bërë atë që duhej të bënte, por si do qoftë kjo ndodhi assesi nuk guxon të fusë urrejtje mes muslimanëve dhe popullit zviceran, por duhet tejkaluar këtë situatë dhe të veprohet për ndryshimin e vendimit të marrë.

 

Tearca.ch: Pas referendumit, sikur e mbarë nomenklatura mediale e Zvicrës është fokusuar mbi Islamin dhe muslimanët, duke provokuar herë pas here debate për probleme e çështje joreale, do të thoshim fiktive. Si e vlerësoni ju këtë situatë të nderë?

Alivebi ef. Medii: Sa për ilustrim do të kthehesha për një çast në një të kaluar edhe atë në vitet e komunizmit, në ish Jugosllavi aso kohe kur unë isha student në Sarajevë. Më kujtohen shumë mirë vitet e tetëdhjeta, ishin vite të rilindjes së muslimanëve në Ballkan, dhe mu për atë partia komuniste bënte një luftë të madhe për pengimin e muslimanëve po edhe të religjioneve tjera. E dini shumë mirë se sa burgosje u bënë për të ndaluar një hovë të tillë. Po gjithashtu më kujtohet një debat i radio televizionit të Sarajevës të cilin e udhëhiqte kryetari i feve i caktuar nga pushteti komunist Ivan Cvitkoviç, i cili si moto të debatit e pati: ”Si mund që religjioni edhe sot e kësaj dite të ekzistojë, por edhe të zhvillohet me këtë intensitet të hovshëm, ndërsa neve në programin tonë komunist kemi menduar se ajo vetvetiu do të zhduket nga sulmet dhe presionet që do t’ia bënim”.

Pra, thjesht mendoj se edhe këtu në Zvicër por edhe në mbarë botën po ndodh një revolucion i cili po ngjallë muslimanët dhe kjo i shtyn të tjerët që të merren me muslimanët, herë pas here ato do të sulmojnë nëpër mediume në forma të ndryshme, po e vërteta do të vijë insha’allah nga i madhi Zot. Ne duhet gjithsesi të përgatitemi për sfidat që do të na vijnë.

 

Tearca.ch: Cili do të ishte roli i imamëve dhe i xhamive në drejtim të mënjanimit të keqkuptimeve e keqinterpretimeve të Islamit dhe muslimanëve këtu në Zvicër dhe brenda kësaj kohe a ka lëvizur diçka në këtë drejtim?

Alivebi ef. Medii: Personalisht mendoj se imamët dhe xhamitë në këtë kohë të turbullirave kanë një rol të madh. Pikësëpari duhet thënë të drejtën se ne jemi shumë të mbyllur, gjithsesi duhet të hapemi dhe të jemi sa më shumë që është e mundur transparent. Pjesa më e madhe e popullit zviceran kanë mendime të gabuara rreth Islamit dhe muslimanëve në përgjithësi, dhe ekziston një frikë prej xhamive tona, duke menduar se në to përgatiten grupe terroriste.

Që të mund të përballojmë kritikat e anës zvicerane duhet që ne të punojmë dyfish më tepër. Sidomos për hir të rinisë sonë. Në këtë diskurs fetar, rinia jonë fillon të ketë problem me identitetin e saj. Si mund një i ri apo një e re të përfaqësojë një identitet pozitiv ku publikisht identiteti i tyre atakohet me lajme negative? Kjo kërkon mund të dyfishtë nga ana prindërore dhe nga ana e imamëve. Si kusht për ruajtjen e rinisë nga ky problem i identitetit është që imamët që veprojnë në xhamitë e Zvicrës të mësojnë gjuhën gjermane, të marrin pjesë në këtë dialog fetar, ku momentalisht shumë pak imamë bashkëveprojnë.

Në xhaminë tonë ku unë veproj, pra në Rorschach, jemi munduar në një formë, jo tani por qysh para disa viteve, që të hapemi dhe të jemi sa më transparent me popullin, studentët dhe kuptohet me njerëzit religjioz të feve tjera.

Për çdo vit kemi prezantim të Islamit për studentët e shkollës pedagogjike të Rorschachut, që thënë të vërtetën kemi shumë sukses për arsye se bëhet prezantimi i Islamit për personat të cilët pas një kohe të shkurtër do të jenë arsimtarë për edukimin e brezave të rinj.

Pastaj, disa vite me radhë praktikojmë që t’i kemi dyert e hapura të xhamisë, me ç’rast e njoftojmë opinionin zviceran mbi xhaminë, rolin e saj dhe Islamin në përgjithësi.

Nuk duhet të kalojmë pa i përmendur edhe takimet tona që i kemi bërë gati tradicionale me priftërinjtë katolikë dhe reformistë, ku me ta komunikojmë në mënyrë të shtruar mbi problemet aktuale.

Këtë që e thash nuk mendoj se vetëm xhamia e jonë e ka bërë, punë të tillë kanë bërë edhe shumë xhami të tjera, por do të apeloja te të tjerët që nuk kanë bërë një punë të tillë, të hapen dhe ta tregojnë realitetin tonë objektiv.

 

Tearca.ch: Cili është raporti Juaj personal me imamët tjerë shqiptarë këtu në Zvicër?

Alivebi ef. Medii: Me pjesën më të madhe të imamëve i kemi raportet e mira, por kuptohet kohëve të fundit kanë arritur shumë imamë të rinj me të cilët ndoshta ende nuk jemi njoftuar, besojmë se në një të ardhme të shpejtë do të takohemi me të gjithë imamët dhe do të bëjmë një urë lidhëse.

 

Tearca.ch: A ekziston ndonjë formë organizimi e këtyre imamëve dhe sa është efikase ajo?

Alivebi ef. Medii: Herë pas here mundohemi të organizohemi, po efikasiteti mungon, shpresojmë se do të gjejmë kompromis për punët efikase që na presin para sfidave të kohës aktuale.

 

Tearca.ch: Cilat janë pengesat e një organizimi të mirëfilltë të imamëve e xhemateve shqiptare këtu në Zvicër?

Alivebi ef. Medii: Është pyetje pak sa e vështirë, por realiteti edhe pse është i hidhur duhet pranuar si i tillë. Pengesë për organizim të imamëve dhe xhemateve nën një ombrellë, jemi vetë ne imamët e pastaj kryesitë e xhamive e sidomos Bashkësitë Islame në vendlindje.

 

Tearca.ch: Ku dhe si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Alivebi ef. Medii: Mendoj se zgjidhja ekziston, por duhet një qasje reale. Vetëdijesimi do të ishte prioritet për kapërcimin e situatës, e pastaj përgjegjësia absolute ndaj profesionit që posedojmë dhe qëllimi për punën që bëjmë.

 

Tearca.ch: Çfarë raportesh ekzistojnë midis xhamive të këtushme dhe Bashkësive Fetare Islame të vendlindjes?

Alivebi ef. Medii: Nuk ekzistojnë raporte të mira nga vetë fakti se këtu në Zvicër as vetë nuk e dimë se sa bashkësi Islame veprojnë. E bashkësitë Islame të vendlindjes sikur po e anashkalojnë të vërtetën dhe nuk merren me seriozitet me diasporën. Shpresojmë se do t’i kalojmë këto sfida dhe dhëntë Zoti që të ngremë raporte ideale me veten dhe Bashkësitë Islame në vendlindje.

 

Tearca. Ch: Si qëndron puna e juaj me politikën, a jeni marrë këtu në Zvicër apo edhe në vendlindje me politikë?

Alivebi ef. Medii: Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, frynë erërat e demokracisë dhe filluan themelimet e partive demokratike. Ashtu ndodhi edhe me shqiptarët e Maqedonisë dhe me muslimanët në ish Jugosllavi.

Në Bosnjë e Hercegovinë u themelua Partia për Aksion Demokratik nga rahmetli Alija Izetbegoviq, dhe kjo u reflektua edhe në republikat tjera të ish Jugosllavisë, po dhe në republikën e Maqedonisë, ku u themelua dega e të njëjtës parti nga kryetari Qenan Mazllami, i cili ishte edhe anëtarë i kryesisë së PAD-it në Sarajevë.

Pas themelimit të Partisë për Aksion Demokratik-Rruga Islame në Maqedoni me qendër në Tetovë, mua më zgjodhën delegat të partisë, dhe kuptohet më vonë këtu në Zvicër organizuam këshillin nismëtar për themelimin e degës së PAD-Rruga Islame. Për një kohë të shkurtër e themeluam këtë degë, ndërkaq mua më zgjodhën kryetar të saj.

Ishte një përvojë e re për mua që të merrem me politikë, por thënë të drejtën vitet të cilat i kaluam në organizime të ndryshme asaj kohe i llogaris si vitet më të frytshme si të spektrit politik por edhe të xhamive në përgjithësi. Në emër të PAD-rruga islame bëmë shumë organizime sa që gjithherë ishim në qendër të vëmendjes në çdo xhami. Anëtarësia e PAD- rruga islame ishte nga gjithë xhamiat dhe lidhja e jonë ishte jashtëzakonisht e mirë.

Kishim lidhje të mira edhe me lëvizjen Milli Görü? të turqve në diasporë, e llogaritnim si mbështetje dhe vepronim bashkërisht, saqë edhe zyrën tonë e kishim në qendrën e tyre. Kongresi i dytë i muslimanëve në Evropë i organizuar në Zvicër nga Milli Görü?,ku morëm pjesë pos PAD-rruga isalme, bashkësit e feve Islame nga gjitha trojet e Ballkanit edhe ne si degë e PAD-rruga islame. Ishte pra një datë e madhe për ne e këtij takimi që la mbresa për një kohë të gjatë.

Zgjedhjet e dyta parlamentare të organizuara në Maqedoni ishin edhe një përvojë më e madhe për mua për shkak se neve e gjithë dega nga Zvicra morëm pjesë në organizim dhe udhëheqje, ku dolëm me 28 kandidatë të mundshëm për deputet në parlamentin e Maqedonisë.

 

Tearca.ch: A ekziston ende dega e PAD-Rruga Islame këtu në Zvicër?

Alivebi ef Medii: Jo, për fat të keq ajo ka pushuar së vepruari edhe në vendlindje, gjithashtu edhe këtu në Zvicër nuk kemi më degë të PAD-Rruga Islame.

 

Tearca.ch: Tani t’i kthehemi pak edhe Shoqatës Humanitare “Tearca” në Zvicër. Besoj që Ju keni qenë anëtar, nëse jo edhe nismëtar, i kësaj Shoqate që nga fillimi. Si e shihni ecjen dhe veprimtarinë e saj që nga fillimi e deri më sot?

Alivebi ef. Medii: Po, prej fillimi kam qenë anëtar i Shoqatës Humanitare “Tearca” në Zvicër. Puna që bën kjo shoqatë është shumë e madhe, sigurisht se ka edhe shumë çka të bëhet në të, por koha dhe aktivitetet tona të përbashkëta do të rezultojnë me progres pozitiv. Vjeshtën e kaluar u bë edhe rikonstruktimi i shoqatës ku isha shumë këmbëngulës që të vazhdojmë punën edhe pse pati mendime për shuarjen e saj, por falënderimi i takon Allahut fuqiplotë që miratuam vendimin e vazhdimit të punës së shoqatës.

Shoqata jonë ka dhënë një kontribut të duhur gjatë luftës së kaluar që u zhvillua me sllavo-maqedonasit, por edhe pas luftës vazhdoi me projekte madhore siç është ndihma për ndërtimin e xhamive në fshatin tonë, ndarja e disa ndihmave nevojtarëve të fshatit dhe shpresojmë në të ardhmen të vazhdojmë me kontribute të nevojshme që do lypen prej nesh.

 

Tearca.ch: Një pyetje profesionale për Ju, por që është e lidhur me aktivitetin e Shoqatës sonë. A do të ishte e lejuar që kontributet e zeqatit, të sadekatul-fitrit e të ndihmave të tjera fetare të derdheshin në fondin e Shoqatës Humanitare “Tearca”, duke marrë parasysh se katundarët tanë nevojtarë janë ata që kanë prioritet në këto ndihma?

Alivebi ef. Medii: Çështja e zeqatit dhe sadekatul-fitrit për t’u derdhur në Shoqatën tonë për ndihma të katundarëve tanë, mendoj personalisht se do të ishte pak sa e tepruar, për arsye se vetë zeqati dhe sadekatul-fitri janë një institucion islam që i takon vetëm Bashkësive Islame të merren me këtë aktivitet, e nëse lihet në organizim të shoqatave sigurisht se do të humbet edhe vlera e saj.

Në shoqatën tonë ne kemi obligim vjetor për pagesë të caktuar dhe nëse inkuadrohemi të gjithë mendoj se do t’i kishim zgjidhur shumë probleme të nevojtarëve tanë.

 

Tearca.ch: Shoqata jonë, me rikonstruktimin e saj vjeshtën e kaluar, hapi edhe një web faqe, për të cilën jemi duke e zhvilluar këtë intervistë. Ajo ka hapur disa rubrika rreth veprimtarisë së saj, rreth fesë islame e për argëtim. Ç’mendim keni për përmbajtjen e saj? A ka diçka që është tepërt e diçka që mungon? Mendimin Tuaj do ta çmonim lart.

Alivebi ef. Medii: Web faqja është e mrekullueshme dhe bënë një lidhje të mrekullueshme mes bashkëfshatarëve dhe Tearcës së dashur. Edhe rubrikat që zhvillohen janë të mrekullueshme. Për të shtuar diçka në të gjithmonë është e mundshme. Pasi që kërkuat mendimin tim, unë mendoj që ndoshta sa për freskim do të duhej pak më shumë reportazhe aktuale nga Tearca, për ndodhi e informata të tjera drejtpërsëdrejti .

 

Tearca.ch: Së fundi, cilat do të ishin porositë Tuaja drejtuar bashkëfshatarëve tanë në Perëndim në përgjithësi dhe në Zvicër në veçanti, e sidomos për të rinjtë e të rejat tona këtu?

Alivebi ef. Medii: Porosia e ime me të cilën do t’u drejtohem bashkëfshatarëve e sidomos rinisë së Tearcës në Perëndim është që ata gjithsesi të shkollohen me një shkollim superior që në këtë mënyrë të demonstrojmë vlerat e larta dhe ta ngremë zërin e Tearcës në mënyrë që të kumbojë shumë edhe më larg se Xhakarta. Asnjëherë të mos e harrojnë Tearcën e dashur dhe me ndihma e me vizita të shpeshta ta ruajnë fort në kujtesë e zemër.

 

Tearca.ch: Ju falënderojmë edhe një herë përzemërsisht për kohën që ndatë si dhe për këshillat e për kontributin tuaj dhënë Shoqatës sonë. Ju urojmë shumë sukses në Zvicër si dhe të gjitha të mirat në jetë!

Alivebi ef. Medii: Edhe unë ju falënderoj përzemërsisht juve dhe gjithë bashkëfshatarëve të mi me shpresë për suksese të përbashkëta. Zoti na ndihmoftë!

 

18.06.2010, Rorschach

Intervistoi: Mr. Rejhan Neziri