Barcoleta

Polici kufitar

Personi me emrin Juan (Huan) me motoçikletën e tij i afrohet kufirit të Meksikës. Në pjesën e prapme të motoçikletës kishte varur dy çanta të mëdha. Kur e sheh polici me çantat pas, e ndal dhe e pyet se çfarë ka në çanta?

Juani: "Vetëm rërë (zallë)" i përgjigjet. Polici i habitur, i thotë: "Hapi çantat, të shoh!". Juani i hap çantat, polici i kontrollon deri në kokrrat e fundit, por s'gjen dot gjë pos rërës. Duke mos qenë i kënaqur me kërkimin, nis edhe një herë ta kontrollojë. Sërish nuk gjenë gjë. E liron dhe Juani e kalon kufirin.

Pas disa ditësh Juani prapë paraqitet në kuf me ato dy çantat pas. Prapë e kontrollon deri në fund. Kot, s'gjen gjë dhe ia lejon ta kalojë kufirin.

Kjo vazhdon shumë kohë kështu... Polici kufitar pas një kohe pensionohet.

Një ditë polici duke ndenjur në një bar në Meksikë, hëpërhë paraqitet ai me motoçikletën me çantat. Ky sapo e sheh, i vërsulet dhe ia ngjet për jake duke i thënë: "E di çfarë. Gjatë gjithë kësaj kohe dhe gjatë këtyre viteve nuk mund të flej natën rehat duke menduar se çfarë mund të bartish me ato çantat përtej kufirit. Tregomë çfarë bart, çfarë po tregton? Të garantoj se nuk të paraqes në polici, unë tanimë jam pensionuar. Dua të rehatohem".

Juani i përgjigjet: "MOTOÇIKLETA". 

 

Te floktari

Kishte qenë një floktar në mes të një qyteti. Një ditë shkon një zviceran me i qeth flokët dhe kur çohet e pyet floktarin sa duhet me paguar, e ai i thotë: “S'duhet asgjë, falas është”. Të nesërmen zvicerani i çon 20 bukë si shenjë falënderimi. Një ditë tjetër shkon një italian me i qeth flokët, edhe këtij i thotë se falas e ka. Ky të nesërmen i çon 20 pako me makarona. E një dit shkon dhe shqiptari, pasi i qeth flokët i thotë sa duhet, floktari i thotë asgjë, falas është. E shqiptari të nesërmen ia çon 20 shqiptare tjerë.

 

Rrenacakët

Ishin kanë në një odë disa burra dhe po tregojnë fragmente nga jeta e tyre. Njëri ia filloi me tregu se si tu e çel një bunar ka has me një mjet të metaltë e tu e gropu hala ma poshtë tha e pash që kishte qenë tank e Luftës së Dytë Botërore, e Hitlerit. Por tu e gropu edhe pak, kur një dritë kishte qenë pas mbetur ndezur në tank... E një burrë tjetër më në skaj të odës kishte qenë gjahtar dhe po tregon se si një ditë e kishte pas vra një lepur 500 kilogram i rëndë... Ky që e tregoi punën e tankut me dritë ndezur tu e gropu bunarin i tha: “Leje bre burrë e mos rrej, ku ka lepur 500 kilogram?”. Ky ia ktheu: “Valla, pa ja shuajt ti çatë dritë tankut, kurrë nuk kam ta zvogëloj lepurin”.

 

Papagalli musliman

Një hoxhë vendos që papagallin e tij t’ia shesë një prifti. Pasi e merr në shtëpi prifti papagallin, çdoherë që del prej shtëpie ose hyn në shtëpi prifti, papagalli e përshëndeste atë me “Selamun Alejkum”. Një ditë prifti u nervozua dhe i tha papagallit se nëse edhe një herë thotë ashtu, do ta mbyllë dhe nuk do t’i japë të hajë 1 muaj. Papagalli e përshëndeti sërish me selam dhe prifti vendosi ta mbyllë. Pasi kaluan 1 muaj pa ngrënë dhe pa pirë, prifti thotë ta shoh se ç’bën papagalli. Kur e hap derën, papagalli i thotë priftit: “Urime bajramin!”.

 

Studentët

Ishin dy studentë që banonin bashkë, mësonin që të dy mirë fillimisht, por nga dita në ditë njëri nuk mësonte. Tjetri e pyet pse e ke lënë mësimin kohëve të fundit e s’po mëson hiq? Ky ia ktheu: “Një ditë duke mësuar e gjeta një qime në libër dhe u gërdita…”

 

Biondina

Pse biondina e hap jogurtin në shitore? Sepse te kapaku lexon: “Hape këtu” (Open here).

 

Pijanecët

Kishte shkuar një pijanec te mjeku edhe është ulur me prit derisa ta thirr mjeku të hyjë brenda. Pas një kohe del mjeku dhe e thirr duke i thënë: “Urdhëro, hyr brenda!”. Pijaneci i thotë: “Te cili me shku?”. I janë dukur më shumë mjekë. Mjeku i përgjigjet: “Tek unë, tek unë, por ju lutem vetëm një nga një”. D.m.th. edhe mjeku ka qenë i pirë.

 

Fut Zeqir, nxjerr Sotir!

Shkoi Zeqiri në Greqi për të punuar te Vasili me Vasiliqinë, që ishin një çift grekësh që nuk kishin fëmijë. Vasili i tha Zeqirit se pa u bë krishter e pa e ndërruar emrin, nuk kishte për ta marrë në punë. Kështu që Zeqiri, gjithë siklet, shkoi te kisha për t’u pagëzuar. E kapi prifti, e zhveshi në mes të miletit dhe e zhyti tri herë në një kazan me ujë "të bekuar", duke i thënë për çdo herë: "Fut Zeqir, nxjerr Sotir! Fut Zeqir, nxjerr Sotir! Fut Zeqir, nxjerr Sotir!" Mbasi u bë Zeqiri Sotir, filloi punë te Vasiliqija dhe ke Vasili.

Erdhi kreshma dhe sipas adeteve të të krishterëve, Sotiri nuk duhet të hante mish. Po a mund të rrinte "Sotiri" pa mish?! Kështu që, bëri ç'bëri e u ngrit natën, e poqi një pulë të madhe. Mirëpo erdhi era deri lart ke Vasiliqija, e cila u ngrit dhe nxitoi për në kuzhinë. E kapi "Sotirin" gjallë dhe i tha: "Sotiiir! Po mëkaton, more i paudhë! Ç'është ajo pulë që ke vënë në zjarr?!". "Po nuk është pulë, mi, se është presh!" Vasiliqija desh i nxori sytë nga vendi: "Uëëë, more mavri, po ç'thua, mor?". "Presh, mi, presh!" ngulte këmbë "Sotiri". "Me kë tallesh, more malukat?! Si u bëka pula presh?". "Po bëhet, mi zonjë, bëhet! E shtie tri herë në ujë dhe i thua: “Fut pulë, nxjerr presh; fut pulë, nxjerr presh; fut pulë, nxjerr presh..." dhe bëhet “presh”.

 

Suksesi shkollor

Aktori i drejtohet birit të vet në ditën e suksesit shkollor: "Si kalove biri im, çdo gjë në rregull?". "Paj, babi, kontrata ime me klasën e tretë u vazhdua edhe për një vit."

 

Patkoi

Ca rob kishin bërë një shtëpi të re dhe, si e kanë bërë zakon këto kohëve të fundit, donin me i varë një patkua kali te dera, po para se me bërë këtë punë, menduan të shkojnë një herë te hoxha e me pyet se a ia vlen apo jo ky muhabet.

- Çfarë,more? Doni me varë patkua në derë të shtëpisë, ë? E pse? - i pyeti hoxha.

- Po thonë se është sevap e të ecë mirë kur var një patkua në derë, o hoxhë.

- Sa budallenj që jeni! - vazhdoi hoxha, - po kali ka katër copë si ato edhe ha dajak për ditë, ju doni t'ju ecë mbarë me një?!

 

Nuk tutet shosha me arushë!

Një aktivist i një subjekti politik frikësohej shumë prej milicisë, dhe një ditë tek po mbante një mbledhje në një fshat, disa të rinj vendosën që ta frikësojnë. Gjatë asaj mbledhje një i ri i ofrohet të veshi dhe po i thotë: “Zoti kryetar, më thanë se në oborr po sillen milicia dhe kanë pyetur se kush po mbanë mbledhje?”. Atij të gjorit sa nuk i ra të fikët. Dy burra dolën në oborr. Pas pak u kthyen dhe po tregojnë se në oborr nuk ka këmbë milici. Ky aktivisti duke dashur që të tregohet se nuk është “frikësuar”, tha:
- Vazhdojmë burra, se nuk tutet shosha me arushë!

Masa ia plasi gazit... Sepse të mos ishte frikësuar do të thoshte “nuk tutet arusha me shoshë”.

 

Sikur të ishte e mundur

Ditë vere. Vapë e madhe. Samiu nga Prekazi tek po mihte misër dhe e kishte djegur dielli keq në shpinë. Dikur në mesditë, i lodhur e i djegur po i thotë shokut të vet: “Ah sikur të kishte qenë e mundur që pasdite ta qitja barkun në shpinë!”

 

Punëtorët e saktë


Një ndërmarrës pyet tjetrin: "Pse punëtorët tu janë çdoherë të përpiktë?"

-     "Parking-trik!"

-     "Nuk po kuptoj..."

-     "Tridhjetë punëtorë dhe vetëm njëzetepesë vendparkime..."

 

 A je tuj pritë surlet me krisë? 

Ishte kohë ramazani. Tri-katër copë katundesh në Kabash të Prizrenit kishin pas bërë ramazan me një tupan. Ndërmjet atyre katundeve kishte qenë një kodër, Murlan e kishin pas quajtur. Për kohë të iftarit dilte në maje të kodrës tupanxhiu me rrahë për iftar.

Hoxha kishte pas shkuar tek njëri në Kabash dhe pritshin të bëhet iftar, pasi të gjithë ishin të uritur. I murrën orët e po i vendosin përpara me shikuar kohën. Një djalit të shtëpisë i thanë:

- Del n divanhane e vëzhgo! Kur t’krisin tupanat, na kallxo e t’bajmë yftar.

U bë koha e yftarit e djali nuk po lajmëron gjë. Këta të lodhur e të uritur po i ja lëshojnë një zë djalit:

- O djalë!

- Hoj! - Përgjigjet ai.

- A krisën more tupanat a shka u bo?

- Qe besa, more babë, ni tupan krisi qatje n’kodër...

- Po shka dreqin je tuj pritë. Me krisë edhe surlet a?


Mate punën e ujit se ...

Bajram Selimi i Uçës shkon tek miqtë në Kërninicë. Për darkë miqtë po bien reçel.

Duke e trazuar reçelin (duke i qitur ujë), i zoti i shtëpisë i qetë ujë pak si shumë. Edhe duke i qitur ujë, po e pyet Bajramin:

-  A t’qes ma?

Bajrami po e sheh që nuk është kah i ndalet dore e që nuk është më hajri i reçelit, se u mbush me ujë, po i thotë:

- Valla bre mik, mate punën e ujit - a ki a s’ki, se reçeli, me nerë me thanë u ba m....

 

Ai s'asht msue me dhanë

Një zemërngushtë (tahmaçar) kishte pas ra në ujë e donte me u mbytë, se nuk kishte pas ditur not. Qëllon njëri atypari e i thotë:

- Ama dorën, bre burrë!

Një tjetër, që e kishte pas njohur këtë zemërngushtin, ia kthen këtij:

- Ai nuk asht msue me dhanë, por  veç me marrë e thuj: “Ha dorën!” e jo ama dorën, n’dash me e pshtue pa u mytë.

 

Mendja e madhe

Në një kuvend të burrave, hyri me pakë vonesë edhe Shaban Hoxha i Isniqit.  Ishte vonuar pak dhe, natyrisht, plakun e mençur e pret kuvendi.

Mirëpo, një mendjemadh i Strellcit, me mustaqe të holla si bishti i miut, që ja kishte mbushur mendjen vetes se e ka vendin në kuvend të burrave, i hidhëruar pse kuvendi po e respektonte Shabanin, mezi priste që t’ia thoshte ndonjë fjalë.


Shaban Hoxha u rahatue në kullë. Ia sollën edhe kafen.

Njëri prej pleqve në kuvend tha:

- Fol diçka Shaban Hoxha!

Ende pa e çelur gojën Shabani, ai mendjemadhi ia priti:

- Çka me fol Shaban plehu që vonohet në kuvend të burrave?

Të gjithë u prekën. Ai plaku që i tha Shabanit më parë “fol diçka”, u zu ngushtë, por foli:

- Mos u hidhëro lum Shabani, se është martue rishtas dhe e ka pak veten n’qejf?

- Jo - tha Shaban Hoxha, -nuk hidhërohem. Plehut ia sheh hajrin dikush, se plehu e rrit bimën, e mendjes së madhe, pasha zotin, kush mbi dhe hajrin deri sot s’ia ka pa!

 

Një pite të keqe për mysafirin e mirë!

Një natë dimri Ramadan Shabani shkon mysafir te Xhemajl Abria.

Te dy pleqnar të njohur që i kishte Kosova.

Të gëzuar për takimin, te dy pleqtë në kullë harrohen në bisedë.

Dikur, nëna e Xhemajlit, që e dinte se në kullë është një mysafir i mirë, shkon dhe troket në derë.

Del Xhemajli në der të kullës:

-  Hë nënë, ç’e mirë të solli këtu?

-  Më thanë se të ka ardhë një mysafirë i mirë bre loke?!

-  Po, bre nënë, pasha zotin, mysafirë më të mirë kjo kullë nuk pret!

-  Ani lokes, çka po ta do zemra të të gatuaj nana për darkë? I kemi, shyqyr zotit tana të mirat e, për mysafirin e mirë - diçka ma të mirë!

-  Gatuaja nënë një pite të keqe!

-  Qysh loke, pite të keqe për mysafirin e mirë?

-  Oj nënë, ruaje bulmetin për llaskuçë që vijë për bark, ata ta marrin për gojë konakun, se ky ka ardhur për llaf e muhabet - tybe e treqind tybe as mendja nuk i shkon se çka i qet në sofër!...